TË PAKTËN 36 PERSONA TË VDEKUR NGA ZJARRET NË HAVAI

Të paktën 36 persona kanë vdekur si pasojë e zjarreve pyjore që kanë përfshirë ishullin Maui në Havai, kanë thënë zyrtarët.

Zjarret janë ndezur nga erërat e forta – prej një uragani në afërsi – duke shkatërruar qindra ndërtesa dhe duke djegur shumë zona.

Mijëra persona janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, pasi në zonën e zjarreve është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kërkuar për shumë persona të zhdukur.

“Ne mezi ikëm me kohë”, ka thënë Kamuela Kawaakoa, e cila ka ikur në një qendër evakuimi të enjten, bashkë me burrin dhe djalin e saj gjashtëvjeçar.

“Ka qenë shumë e vështirë kur e kam parë vendin tim krejt në hi, dhe nuk kam mundur të bëj asgjë”.

Pesë qendra evakuimi janë hapur në Maui, por zyrtarët kanë thënë se të gjitha janë të mbingarkuara me njerëz.

Ky ishull vizitohet shumë nga turistët, por atyre u është bërë thirrje që të mos nisen atje.

“Këtu nuk është vend i sigurt”, ka thënë guvernatorja e Havait, Sylvia Luke.

Zjarrfikësit janë ende në luftë me zjarret, ndërsa helikoperët janë duke hedhur ujë mbi zjarret nga lartësia.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se ka nevojë për veprim urgjent dhe angazhim të guximshëm kundër ndryshimit klimatik.

Nga llogaria e tij në platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, ​​​​​​​Ghebreyesus bëri një postim për shkak të zjarreve që janë paraqitur në zonën e pyllëzuar në ishullin Maui në Hawaii të SHBA-së.

Ngjarjet e motit ekstrem tashmë janë normalja e re dhe kanë shkaktuar dhimbje dhe shkatërrime të paimagjinueshme, deklaroi Ghebreyesus duke shprehur se “Zemra ime është me popullin e Hawaiit të përfshirë në këto zjarre vdekjeprurëse. Kundër ndryshimit klimatik ka nevojë për veprim urgjent dhe angazhime të guximshme”.

SHARE