Pandemia e koronavirusit ka përfunduar dhe bashkë me të edhe kontratat për 25 teknikë mjekësorë dhe disa higjenistë në Qendrën Shëndetësore të Podgoricës.
Atyre që nuk iu vazhduan kontratat janë të zhgënjyer, sepse, siç thonë ata, kanë qenë aty kur ka qenë kohë e vështirë. Të pakënaqur janë edhe qytetarët.
Dy infermiere, të cilat informuan për këtë problem, por nuk deshën të dalin para kamerave, thonë se të 25 kolegët kanë dhënë një kontribut të pamat gjatë pandemisë, duke punuar në qendrën Covid.
Siç thonë ata, të njëjtët punëtorë, të cilët kujdeseshin për shëndetin e qytetarëve 15 orë në ditë, tani janë dërguar në pushim vjetor deri në skadimin e kontratës.
Këto rrethana i ka konfirmuar drejtori i Shtëpisë Shëndetësore të Podgoricës, Danilo Jokiq. Por, thotë ai, bëhet fjalë për kufizime ligjore:
“Me shpalljen e përfundimit të pandemisë, atyre personave u ka përfunduar nevoja për vazhdimin e kontratave dhe ata janë absolutisht të njohur me këtë, sepse në vendimet e tyre shkruhet se janë punësuar në bazë të Covid-19. Sipas sistematizimit të Qendrës Shëndetësore, nuk kemi numrin e pozitave të lira për të gjithë këta persona, shumica e të cilëve janë profesionistë të dëshmuar”, thekson Jokiq.
Drejtori i Qendrës Shëndetësore, nga ana tjetër, premton se do të bëjë të pamundurën për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që atyre që nuk u janë vazhduar kontratat, të kthehen në punë.
“U bëj thirrje edhe një herë që të mos bien nën ndikimin e atij dezinformimi për shpërndarjen e pushimeve nga puna, të ndjekin konkurset, sepse një pjesë të madhe të tyre me siguri do të punësojmë sipas aktit të organizimit dhe sistemimit të brendshëm, dhe se sigurisht do të jetë nderë për ne”, thotë Jokiq.
Pandemia e koronavirusit, përmes rrugës së vështirë, na mësoi një gjë – se ne nuk kemi mjaft punonjës shëndetësorë dhe se duhet të jemi të lumtur nëse kemi ende dikë për ti duartrokitur.