Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si zhvillim pozitiv dërgimin e letrës nga dhjetëra ligjvënës amerikanë e evropianë te zyrtarët e lartë në Bruksel, Uashington e Londër, përmes së cilës u kërkua ndryshimi i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës më 9 gusht, Kurti tha se nënshkruesit e letrës shprehën mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë “dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për rajonin tonë”.
“Ne u jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politikë që i janë bashkuar kësaj thirrjeje të përbashkët, e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e përforcon përkushtimin tonë për shtensionim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci dhe bindjen për ligjshmëri dhe kushtetutshmëri”, tha Kurti.
Në fillim të kësaj jave, deputetja britanike Alicia Kearns, publikoi letrën, të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka pranuar një letër nga disa deputetë evropianë dhe amerikanë.
“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë korrespondencën që Përfaqësuesi i Lartë (Borrell) merr nga bashkëbisedues të ndryshëm. Nëse aktorët përkatës i shkruajnë atij, ai përgjigjet përmes kanaleve përkatëse. Ne nuk bëjmë korrespondencë përmes mediave”, deklaroi Stano.
Por, Stano rikujton se politika e jashtme drejtohet njëzëri nga shtetet anëtare të BE-së.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian ka bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.
Duke konfirmuar neutralitetin në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Stano thekson se institucionet e Brukselit e vlerësojnë angazhimin e palëve në dialog “në bazë të meritave të tyre individuale dhe raporteve për shtetet anëtare”.
“BE-ja u ka dërguar kërkesa të dyja palëve për të zgjidhur tensionet aktuale dhe për të mundësuar vazhdimin e procesit të normalizimit. Bashkimi Evropian po monitoron me kujdes nëse Serbia i përmbush kërkesat e saj dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mosrespektimit të këtyre kërkesave”, tha zëdhënësi i BE-së.