Një recetë fantastike në shije dhe e pasur në vlera ushqyese.
E lehtë dhe e mrekullueshme sidomos tani në stinës e verës ku ushqimet e lehta janë padyshim më të mirat për organizmin.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë supën verore me kungull të verdhë dhe patate të ëmbla, të cilat lehtësisht i gjeni në tregjet e fruta perimeve.
Një recetë që përgatitet krejt lehtë e që të përfshin tërësisht me shijen e saj unike.
Kjo supë kombinohet në mënyrë perfekte me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, bukë të thekur apo byrekë të ndryshëm shtëpie.
Përgatitja e Supës me Kungull dhe Patate të Ëmbla
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
- 500 gr kungull të verdhë
- 2-3 kokrra patate të ëmbla
- 1 kokër qepë mesatare
- 2-3 gota lëng pule ose lëng perimesh
- Vaj ulliri
- Kripë
Përgatitja
Si fillim AgroWeb.org ju udhëzon të ngrohni furrën në temperaturën 200 gradë.
Më pas, kungullit hiqjani farat dhe vendosini në furrë nga ana e lëkurës mbi një letër kuzhine.
Pastroni me ujë të rrjedhshëm patatet, ndajini në dy pjesë dhe vendosini edhe ato të piqen bashkë me kungujt.
Lërini të piqen për 35-40 minuta ose derisa tuli i kungullit dhe patateve të zbutet.
Nxirrini nga furra dhe me një lugë gërryeni dhe mblidheni të gjithë tulin e kungujve ndërsa patateve largojini lëkurën me dorë.
Tulin e kungullit dhe patateve kalojeni në mikser që t’i jepni formën e puresë.
Në një enë metalike hidhni vajin e ullirit dhe qepën e grirë mirë dhe kavërdiseni derisa volumi i saj të bjerë.
Më pas në të njëjtën enë, bëni bashkë tulin e kungujve dhe të patatave të ëmbla dhe shtoni lëngun e pulës apo të perimeve, kripën dhe erëzat që preferoni të shtoni.
Lërini të ziejnë duke i trazuar nga pak në zjarr të avashtë për 30 minuta.
Lëreni të ftohet paksa dhe më pas servireni./AgroWeb.org