Zupë me Kek dhe Krem

Zupa është ëmbëlsira klasike e cila nuk mund të ngatërrohet me asgjë tjetër dhe mund të shërbehet në çdo rast.

Madje për shkak të shijes së mirë që kjo ëmbëlsirë ka, amvisat nuk rezervojnë ndonjë rast të veçantë për ta gatuar.

Atë mund ta gjeni kurdoherë në tryezat e shumë shtëpive, pasi përgatitët lehtë dhe shijon shumë.

Në recetën e sotme nga AgroWeb.org ju tregojmë recetën  shumë të dashur të zupës me kek dhe krem pastiçerie.

Mund ta përgatisni fare lehtë në shtëpi, ndaj bëni gati përbërësit dhe filloni me përgatitjen si më poshtë.

Përbërësit

Për kremin

  • 8 të verdha vezësh
  • 75 gr miell
  • 1 litër qumësht
  • lëkura e grirë e një limoni
  • 2-3 lugë gjelle me sheqer

Për kekun

  • 5 kokrra vezë
  • 75g miell
  • 150g sheqer
  • 1 paketë me vanilje
  • shurup portokalli ose sherbet

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të përgatisni kekun e pandispanjës, rrihni vezët në një tas të madh.

Më pas, shtoni sheqerin dhe vijoni t’i rrihni përreth 20-25 minuta derisa vëllimi i vezëve të trefishohet.

Mielli sitet dhe hidhet pak nga pak në masën e vezëve të rrahura duke e trazuar lehtë me telin e rrahjes së vezëve.

I gjithë sekreti i kësaj ëmbëlsire qëndron në kujdesin që duhet treguar në ruajtjen e vëllimit të masës.

Shtohen lëkurat e grira të portokallit. Lyhet tava me gjalpë, spërkatet me pak miell dhe më pas shtohet masa.

Piqet në nxehtësi mesatare përreth 25-30 minuta dhe më pas lihet të ftohet.

Kekun e pndispanjës mund ta gjeni edhe të gatshëm nëpër dyqane apo supermakrete.

Për kremin

Më pas vazhdoni me përgatitjen e kremit duke hedhur në një enë të thellë të verdhat e vezëve, sheqerin.

Përziejini mirë me rrahës elektrik derisa sheqeri të shkrijë dhe të formohet një masë e njëtrajtshme.

Shtoni edhe miellin pak nga pak tek vezët dhe vazhdoni me përzierjen derisa të keni masën kremoze të preferuar.

Ndërkohë në një tenxhere ngrohni qumështin për disa minuta, derisa të shikoni bulëzat e para në sipërfaqen e tij.

Hiqeni qumështin nga zjarrin dhe hidheni tek ena kur formuat kremin më parë, teksa e bëni këtë përzieni vazhdimisht.

Më pas të gjithë këtë përzierje paksa të lëngshme hidheni në një tenxhere të thellë dhe vendoseni në zjarr të ulët.

Përzieni me një lugë druri, derisa masa të trashet plotësisht e të marrë formën e kremit.

Hiqeni nga zjarri dhe shtoni lëkuren e grirë të një limoni dhe lëreni të ftohet.

Zgjidhni gotat apo enët që ju dëshironi të hidhni zupën tuaj.

Pandispanjën lageni me pak sherbet apo shurup portokalli të përgatitur nga ju sipas dëshirës.

Shtroni shtresën e parë të kremin tek fundi i enës duke u mbuluar pak atë më pas me një shtresë të hollë pandispanje rreth 1 cm.

Hidhni sërish krem e më pas sërish kek.

Bëjeni këtë derisa kremi dhe pandispanja të mbarojnë, hidhni shtresën e sipërme të kremit dhe më pas shtoni arra apo bajame sipër dëshirës.

Vendoseni zupën tuaj në frigorifer për 2-3 orë derisa të ftohet plotësisht e më pas mund t’a konsumoni sipas dëshirës./AgroWeb.org

SHARE