PËR 6 MUAJ ARRESTOHEN MBI 1.600 SHOFERË PËR NGASJE TË AUTOMJETIT NËN NDIKIM TË ALKOOLIT

Policia e Malit të Zi në gjysmën e parë të vitit ka arrestuar mbi 1.600 shoferë për ngasje të automjetit në gjendje të dehur.

Sipas Drejtorisë Policore të Malit të Zi, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, zyrtarët policorë kanë kontrolluar mbi 100 mijë pjesëmarrës të trafikut dhe kanë bërë alko-test të mbi 80 mijë drejtuesve.

“Mbi 5 mijë pjesëmarrës në trafik kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit. Nga këta 5 mijë pjesëmarrës, të cilët u sanksionuan, 1.607 prej tyre u arrestuan”, tha Marko Radusinoviq nga Sektori i Policisë së Juridiksionit të Përgjithshëm.

Radusinoviq në konferencën për media të Drejtorisë së Policisë tha se ende ka përdorues të papërgjegjshëm në rrugë. “Madje, kemi situata ekstreme ku shoferët ngasin nën ndikimin e alkoolit me mbi dy ose tre promile alkooli në gjak”, tha ai duke shtuar se për drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit parashikohen dënime shumë të larta.

“Për drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit në një përqendrim mbi 2 gram për kilogram kemi vetëm dënim me burg prej 15 deri në 60 ditë”, tha Radusinoviq.

“Ndërsa gjoba është shumë e lartë për rrethanat tona dhe varion nga 300 deri në 1.000 euro”, tha ai.

SHARE