GJELAJ: DO TË KËRKOJMË NJË VEND PËR TË NDËRTUAR SHKOLLËN E MUZIKËS

Komuna e Tuzit po planifikon të gjejë një lokacion ku do të ndërtohet objekti për nevojat e shkollës së muzikës, ka bërë të ditur nënkryetari i komunës Lindon Gjelaj.

Gjelaj thekson se nxënësit që duan të studiojnë në shkollën e muzikës aktualisht vijojnë mësimet në shkollën fillore “Mahmut Lekiq”.

„Duke pasur parasysh se numri i nxënësve po zvogëlohet nga viti në vit, në këtë moment mendojmë se nuk është e nevojshme të ndërtohen objekte të reja shkollore në territorin e Komunës së Tuzit. Mirëpo, Komuna planifikoi që në periudhën e ardhshme të iniciojë rindërtimin e objekteve shkollore dhe modernizimin e materialeve dhe pajisjeve mësimore, në bashkëpunim me institucionet kompetente, në mënyrë që mësimi për nxënësit të harmonizohet me kërkesat e procesit bashkëkohor arsimor. Komuna synon që projektin e ndërtimit të objektit të paraparë për shkollën e muzikës ta realizojë deri në fund,“ njoftoi Gjelaj.

Deri në fund të vitit ai pret përfundimin e projektit dhe fillimin e ndërtimit të shkollës fillore në Dheun e Zi.

„Komuna e Tuzit tashmë ka blerë tokë për ndërtimin e një shkolle në zonën e komunës në Dheun e Zi, dhe më pas atë tokë ia ka dhuruar Qeverisë, në mënyrë që aty të ndërtohet një objekt shkollor. Sipas informacioneve që disponon Komuna, projekti duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe të fillojë puna. Po shfrytëzoj rastin të shpreh shpresën se Ministria e Arsimit do të bëjë gjithçka që sa më shpejt të fillojë realizimi i këtij projekti të rëndësishëm,“ tha Gjelaj.

Gjelaj ka thënë se sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet Komuna e Tuzit është ndarja e pronës me kryeqytetin, e cila aktualisht është e përbashkët dhe për të cilën Kryeqyteti nuk paguan asnjë kompensim.

„Po ashtu, ne jemi të orientuar drejt realizimit të projekteve kyçe të infrastrukturës, ndërtimit të stadiumit të qytetit, fazës së tretë të bulevardit drejt Podgoricës dhe aksin rrugor Tuz – Mataguzhë,“ deklaroi nënkryetari.

SHARE