NIKOLLË CAMAJ PËR “VIJESTI”: DREJT QEVERISË SA MË PARË, QOFTË EDHE ME MBËSHTETJE MINIMALE

Deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, tha se Mali i Zi nuk ka kohë për të humbur dhe për këtë arsye ai inkurajon mandatarin e ardhshëm të formojë qeverinë, qoftë edhe me mbështetje minimale, sepse praktika ka treguar se pas kësaj ato ndryshojnë.

“Dhe nuk besoj se pretendentët e mazhorancës kanë deshirë për zgjedhje të reja”, tha Camaj në një intervistë për “Vijesti”.

Ai tha se negociatat paralajmëruan një formim shumë të shpejtë të qeverisë së re, por se “diçka në atë pjesë nuk lejoi që puna të përfundonte siç pritej”.

“Nëse ishte në pyetje lakmia apo pasiguria e disa subjekteve, parimeve apo pozicioneve individuale, koha do ta tregojë. Por, siç duken gjërat tani, për disa, copa e tortës ishte më e rëndësishme se parimet”, tha Camaj.

Ai theksoi se është e vërtetë se koalicionit të tyre, i cili ka dy mandate, i është propozuar një post nënkryetar dhe një ministri në Qeveri, duke thënë se në këtë moment kjo është më pak e rëndësishme, por sigurisht e pranueshme.

SHARE