ZGJEDHJET NË SPANJË, FITON E DJATHTA / POR NUK SIGUROI SHUMICËN ABSOLUTE

Asnjë parti apo bllok nuk ka fituar një shumicë absolute në zgjedhjet e parakohshme politike të Spanjës, të mbajtura dje.

Kjo sipas rezultatit më të fundit, nga numërimi i rreth 99.9% të votave, edhe pse Partia Popullore, PP siguroi fitore të ngushtë ndaj socialistëve në pushtet. PP-ja do të ketë 136 nga 350 vende në parlament, 47 më shumë se në zgjedhjet e 2019-ës.Partia e ekstremit të djathtë, Vox siguroi 33 deputetë, 19 më pak se më 2019-ën, duke e mbajtur si forcën e tretë më të madhe parlamentare.

Por, një koalicion hipotetik mes saj dhe PP-së nuk mund të arrijë shumicën absolute prej 176 ligjvënësish.

Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë e kryeministrit Pedro Sanchez, që doli e dyta do të ketë 122 vende, dy më shumë nga 2019-ta, ndërsa aleatja e saj, Sumar nga ekstremi i majtë, 31.Sanchez tha se e djathta dhe e djathta ekstreme “dështuan” në përpjekjen për “zhbërjen e përparimit të arritur 4 vitet e fundit”.

Ndërkaq, lideri i PP-së, Alberto Nunez Feijoo, u shpreh se si fituese e numrit më të madh të vendeve parlamentare në zgjedhje, partia e tij do të përpiqet të formojë një qeveri të re.

Rezultatet sollën një parlament të ndarë, ndonëse sondazhet pas votimit tregonin se PP-ja dhe Vox kishin gjasa të mira të arrinin një shumicë për të formuar një qeveri.

Një koalicion i tillë do të kthente një forcë të ekstremit të djathtë në qeverinë spanjolle, për të parën herë që kur vendi kaloi në demokraci, në fundin e viteve ‘70, pas sundimit gati 40-vjeçar të diktatorit Francisco Franco.

Dje, votuesit spanjollë iu drejtuan vendvotimeve që në orën 09:00 të mëngjesit, për të votuar në një palë zgjedhje të përgjithshme që mund ta bëjnë Spanjën vendin më të fundit anëtar të Bashkimit Europian që do të kalojë nga e djathta.

Zgjedhjet në Spanjë u mbajtën në kulmin e verës, ndërsa miliona votues janë duke pushuar larg qendrave të tyre të votimit. Të djathtët nuk e pëlqejnë fare Sanchezin, i cili sipas tyre e ka tradhtuar dhe shkatërruar Spanjën. Ata duan të shfuqizojnë shumë prej ligjeve të tij, teksa prej tyre kanë përfituar miliona qytetarë e mijëra kompani.

SHARE