MILLATOVIQ: ËSHTË E RËNDËSISHME TË KRIJOHET NJË QEVERI QË DO TË MBËSHTETET NGA SHUMICA PREJ 49 DEPUTETËSH

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka thënë se është e rëndësishme që të formohet një qeveri e cila do të mbështetet nga shumica prej 49 deputetësh, ndërsa mandatin pret që në gusht t’i japë mandatarit, përkatësisht kolegut të tij partiak Millojko Spajiq.

Millatoviq do të dëshironte të shihte përfaqësues të të gjitha partive politike që përfaqësojnë kombet pakicë në qeverinë e re.

“Mendoj se do të ishte një gjë shumë e mirë për Malin e Zi. Për mua është e rëndësishme që Qeveria të jetë stabile, evropiane dhe reformiste”, tha presidenti i Malit të Zi.

I pyetur nëse do të dëshironte të shihte përfaqësues të popullit serb në Qeveri, Millatoviq u përgjigj se nuk dëshiron të thotë se kush mund të jetë në Qeveri dhe kush jo.

“Qeveria duhet të ketë sa më shumë subjekte për ta forcuar atë, por jo në kurriz të parimeve, programeve dhe prioriteteve”, ka theksuar ai.

I pyetur se sa një qeveri me mbështetjen e vetëm 41 deputetëve mund ta çojë Malin e Zi në BE, Millatoviq u përgjigj se çdo qeveri me shumicë në parlament mundet.

“Reformat e mëdha në drejtësi kërkojnë një shumicë prej të paktën 49 deputetësh. Në këtë kuptim, është e rëndësishme të shkojmë, të paktën të përpiqemi, të krijojmë një Qeveri të mbështetur nga shumica e 49 deputetëve. Kjo është logjike dhe deri diku e qartë, sepse vazhdimi i reformave në gjyqësor është një gjë kyçe për shërimin e shoqërisë sonë”, tha Millatoviq.

SHARE