PËR KOALICIONIN “PËR TË ARDHMEN E MALIT TË ZI” DHE DEMOKRATËT TË PRANUESHME PARIMET E LËVIZJES “EVROPA TANI”

Përfaqësuesit e Lëvizjes “Evropa Tani” kanë zhvilluar takime sot për formimin e Qeverisë së re me koalicionin “Për të Ardhmen e Malit të Zi” dhe Demokratët.

Njëri nga liderët e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, Andrija Mandiq, pas takimit me krerët e Lëvizjes “Evropa Tani”, tha se parimet e tyre për formimin e qeverisë së re janë të pranueshme për këtë koalicion.

Kolegu i tij Millan Knezheviq bëri të ditur se nuk është diskutuar për departamentet, por vetëm për punën e qeverisë, e cila duhet të fokusohet në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe programin ekonomik.

“Ne i kemi përcjellë kryesisë së Lëvizjes “Evropa Tani” se i pranojmë parimet për formimin e qeverisë. Mali i Zi duhet të ketë një qeveri të fortë të shumicës dhe është një moment i mirë që të gjithë ne të tregojmë përgjegjësi. Demokratët janë këtu për të dhënë një kontribut konstruktiv,” tha lideri i Demokratëve, Alleksa Beçiq, pas takimit me liderin e Lëvizjes “Evropa Tani”, Millojko Spajiq.

Kryetari i Lëvizjes “Evropa Tani”, Millojko Spajiq, për nesër ka caktuar disa takime, ku do të diskutohet për Qeverinë e re të 44-të të Malit të Zi.

Nesër në orën 11:00 është planifikuar takimi me kreun e Alternativës Shqiptare, gjegjësisht bartësit të “Forumit Shqiptar”, Nik Gjeloshaj. Një takim me drejtuesit e Partisë Popullore Socialiste është planifikuar për në orën 12:00. Në orën 13:00 me Genci Nimanbegun, kryetar i Forcës së Re Demokratike, përkatësisht bartësit të “Aleancës Shqiptare”. Ndërsa, në ora 14:00, është caktuar takimi me Adrijan Vuksanoviq, kryetar i Iniciatives Qytetare Kroate.

SHARE