Presidenca e Lëvizjes “Evropa Tani” ka miratuar 10 parime për formimin e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, të cilat do t’u dërgohen partnerëve të mundshëm.
“Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare janë plotësuar kushtet që negociatat të nisin zyrtarisht. Parimet e propozuara do të jenë bazë për formimin e Qeverisë dhe presim një kontribut konstruktiv nga partnerët e ardhshëm në procesin e negociatave. Lëvizja “Evropa Tani” po avokon për krijimin e një qeverie të re që do t’i përkushtohet përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të Malit të Zi dhe përshpejtimit të integrimit evropian”, thuhet nga partia e Millojko Spajiqit.
Disa parti i kanë pranuar tashmë parimet e propozuara, si Mali i Zi Demokratik dhe disa nga partitë e pakicës.
Sipas informacioneve jozyrtare nga CDM, Forumi Shqiptar, bartës i së cilës është Nik Gjeloshaj gjoja ka pranuar në parim ofertën joformale të Millojko Spajiqit për shpërndarjen e departamenteve në qeverinë e re.
Megjithatë, për momentin, oferta është e papranueshme për Iniciativen Qytetare Kroate, Partinë Demokratike, Aleancën Shqiptare dhe Partinë Boshnjake.