PARALAJMËRON PASOJA PËR SERBINË / ESCOBAR: BEOGRADI TË ‘ÇOJË’ SERBËT E VERIUT NË ZGJEDHJE

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ka marrë premtime nga Serbia se nuk do të kundërshtojë zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëroi se ajo do të përballet me pasoja nëse nuk vepron në pajtim me zotimet e saj.

Qeveria e Kosovës, tha ai, duhet të veprojë në harmoni me kërkesat e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë të saj për shtensionimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Ai i bëri këto komente gjatë një seance dëgjimore të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Escobar vuri theksin te situata në veri të Kosovës dhe dhuna e protestuesve serbë kundër KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në atë pjesë. Sipas Escobar, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e reja duhet të jetë pa kushte dhe Serbia është zotuar të mos kundërshtojë një gjë të tillë.

Ai paralajmëroi se Beogradi do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.

Ndërkohë Escobar tha se me shtensionimin e situatës në veri, palët duhet t’i kthehen zbatimit të marrëveshjes së arritur në shkurt dhe në muajin mars për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Sipas tij, element thelbësor është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që nuk do të bjerë ndehs me rendin kushtetues në Kosovë. Ndonëse nuk sheh vullnet të mirë të palëve për zbatimin e marrëveshjes, megjithatë, Escobar shpreson për një përparim të rëndësishëm brenda këtij viti.

I pyetur nga ligjvënësit se çfarë po bën administrata amerikane për të bindur pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të ndryshojnë qëndrimin e tyre, Escobar tha se marrëveshja e Ohrit ofron mundësinë më të madhe në 15 vjetët e fundit për një fushatë më të gjerë të njohjeve për Kosovën.

SHARE