SHTENSIONIMI NË VERI “NË GJYSMË TË RRUGËS”, NEGOCIATORËT TAKIM NESËR NË BRUKSEL

Në një përpjekje të re të Perëndimit për të rikthye palët në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, janë ftuar të mërkurën në Bruksel për një takim ku do të diskutohet zbatimi i marrëveshjes së 27 shkurtit.

Ky takim pason dakordësinë e arritur në 10 korrik ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës për shtensionimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës e ka reduktuar tashmë me 25 për qind praninë e forcave policore në ndërtesat komunale dhe është pajtuar të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Nga kabineti i Kurtit  thonë se tani i takon Serbisë të shprehë qëndrimet e saj për këtë çështje. “Sidoqoftë, ne besojmë se Beogradi duhet ta ndalë qasjen e tij destruktive dhe fushatën e frikësimit të serbëve të Kosovës”, pohojnë burime në qeveri.  Beogradi zyrtar ende nuk e ka thënë qartë nëse kjo ujdi për shtensionim  është e pranueshme për të, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç është shprehur se bëhet fjalë për një “mashtrim” të ndërkombëtarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI që po mbahet në Greqi, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Lajçak kanë zhvilluar një bisedë të gjatë mes tyre ku kanë diskutuar për de-eskalimin e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në këtë proces.

SHARE