Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes për eksportin e grurit përmes Detit të Zi, pas vendimit të Rusisë për ta pezulluar atë.
Ai tha se ka rënë dakord me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për të punuar me “shtetet përgjegjëse për të rivendosur sigurinë ushqimore dhe furnizimin me ushqime”, përmes rrugëve të Detit të Zi.
Në video-mesazhin e tij të mbrëmjes, Zelensky theksoi se marrëveshja e drithërave që kalon përmes Detit të Zi, nga e cila Rusia u tërhoq të hënën, ka potencial të funksionojë në mënyrë efektive edhe pa përfshirjen e Moskës.
Ai tha se vendimi i Rusisë paraqet një mundësi për komunitetin ndërkombëtar që të tregojë se “shantazhi” nuk mund të përcaktojë se kush ka ushqim të mjaftueshëm.
Më herët, përmes një zëdhënësi, u tha se Ukraina është e gatshme të vazhdojë eksportet e saj të grurit, edhe pa pjesëmarrjen ruse.
Sipas tij, Ukraina ka marrë qasje nga kompanitë pronare të anijeve që shprehin gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në proces.
Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, kritikoi vendimin e Rusisë pas takimeve në Nju Jork me diplomatë amerikanë dhe evropianë, duke thënë se marrëveshja ka qenë “jetike” për të parandaluar rritjen e çmimeve të ushqimeve në nivel global.
“Ukraina dhe [SHBA] nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të siguruar eksportin e drithërave ukrainase në Afrikë, Azi dhe më gjerë”, shkroi Kuleba në Twitter.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, kritikoi gjithashtu Moskën për tërheqjen nga marrëveshja dhe tha se vendimi do të “dëmtonte miliona njerëz në mbarë botën”.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me vendet e tjera për të siguruar lëvizjen e grurit nga Ukraina, por nuk po e shqyrtojnë përdorimin e aseteve ushtarake të SHBA-së për të ndihmuar në mbrojtjen e dërgesave të grurit, tha Kirby.