Receta e Patëllxhanëve të Mbushur me Domate dhe Speca

Shija dhe vlerat e patëllxhanëve të mbushur, të pjekur në furrë është mbresëlënëse.

Patëllxhanët e mbushur apo të njohur ndryshe si “Imam Ballajdi” janë pa dyshim një nga gatimet më të shijshme shqiptare.

Shumë histori janë ngritur mbi prejardhjen e emrit të recetës së famshme të patëllxhanëve të mbushur-Imam Bajalldi.

Edhe Shqipëria ka versionin e saj të prejardhjes së këtij emri.

Sipas gojëdhënave, një Imam i nderuar ishte ftuar për drekë në një familje tradicionale elbasanase.

Mes gjithë gatimeve të shijshme që amvisat e shtëpisë kishin përgatitur enkas për të nderuar Imamin, më e veçanta ishte tava me patëllxhanë të mbushur.

I mahnitur nga pamja e kësaj tave fantastike, Imami u magjeps nga shija e tyre, duke ngrënë aq shumë patëllxhanë të mbushur sa u “bajalldis” (i ra të fikët).

Mësohet se që prej asaj kohe, kjo tavë tipike shqiptare mori emrin Imam Bajalldi.

Por krahas kësaj gojëdhëne që na tregon mbi emrin e veçantë të kësaj tave tradiconale shqiptare, vërtetë shija dhe vlerat e patëllxhanëve të mbushur, të pjekur në furrë është mbresëlënëse.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën tipike të gatuar e të trashëguar brez pas brezi që prej kohërave të vjetra nga stërgjyshet e gjyshet dhe nënat shqiptare.

Përgatitja e Tavës Shqiptare me Patëllxhanë të Mbushur 

Përbërësit 

  • 1 kg patëllxhanë
  • 5 speca të gjelbër
  • 4 kokrra mesatare qepë
  • 5 kokrra mesatare domate
  • 200 gr mish të grirë (sipas preferencës)
  • 1 kokërr hudhër
  • vaj ulliri
  • piper
  • kripë
  • majdanoz

Përgatitja

Si fillim, pastrojmë me kujdes patëllxhanët e më pas qërojmë lëkurën e tyre përsëgjati si një rrip të hollë nga të dyja anët.

I vendosim me rradhë në tepsi dhe i spërkasim me pak vaj ulliri dhe kripë. I fusim në furrë me temperaturën 200 gradë dhe i lëmë aty rreth 15 minuta.

Gjatë kohës që patëllxhanët piqen në furrë, përgatisim mbushjen e tyre me perime.

Në një tigan hedhim vajin e ullirit dhe si fillim skuqim hudhrat, më pas shtojmë qepët e qëruara dhe i kaurdisim bashkë me hudhrat në zjarr të ngadaltë.

Pasi volumi i qepës bie nga skuqja, hedhim mishin e grirë dhe specat e prerë në kubikë të vegjël. Vijojmë kavërdisjen.

Më pas hedhim domatet e grira, i kavërdisim dhe i lëmë të ziejmë për 15 minuta. Në fund gjellës së përgatitur i hedhim kripën dhe erëzat.

Nxjerrim patëllxhanët nga furra, i presim mes përmes me një lugë gjelle dhe i mbushim me gjellën që kemi përgatitur.

I vendosim të gjithë patëllxhanët e mbushur në tavë dhe u hedhim sipër një gotë me ujë.

Më pas, tavën e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë, për 1 orë./AgroWeb.org

SHARE