Sallatë Jeshile me Shalqi

Shumë i pasur në fibra, vitamina dhe minerale, shalqiu i shtohet listës së superfrutave të verës.
Me siguri gjatë kësaj periudhe sa herë ju zë vapa apo doni t’i mbyllni vaktet ëmbël zgjidhni një fetë shalqi nga frigoriferi.

Me shijen dhe freskinë që dhuron, ky frut i veçantë i verës ngjan si nje ëmbëlsirë e shëndetshme e përgatitur nga vetë natyra.

Në recetën e sotëme për të gjithë ju adhuruesit e tij ju këshillojmë që ta shtoni edhe në sallatë.

Nuk është aspak i pazakontë kombinimi i shalqiut me të kripurat, por receta e sotme përmban dozën e saj të veçantisë dhe shëndetit.

Përbërësit

  • 1 shalqi i vogël
  • 180 gr sallatë jeshile ose ajsberg (një varietet i sallatës jeshile)
  • 100 gr djathë i bardhë
  • 3-4 gjethe mente ose nenexhik
  • Vaj ulliri
  • Kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete si fillim hapni dhe prisni shalqiun si zakonisht.

Më pas prisni pjesën e mesit në kubikë të vegjël dhe kështu vazhdoni me të gjithë shalqiun duke e pastruar nga farat.

Grini hollë edhe sallatën për të vazhduar me përgatitjen.

Në këtë pikë mund të zgjidhni sallatën e zakonshme jeshile ose atë ajsberg që është një varietet e asaj të parës.
Që të dy llojet kultivohen në vend dhe mund t’i gjeni lehtë në treg.

Duke vazhduar me recetën, hidhini të dy përbërësit në një enë të thellë e më pas shtoni djathin e bardhë të prerë në kubikë gjithashtu.

Në fund shtoni vajin e ullirit dhe kripën e përzieni me kujdes me anë të një luge druri.

Në këtë përzierje nuk duhet të jeni shumë të ashpër në mënyrë që përbërësit të mos shpërbëhen në pjatë.

Shtoni më pas, pak nenexhik ose mente për shije më të freskët dhe sipaa dëshirës spërkateni të gjithë sallatën me uthull balsamike.

Konsumojeni të ftohtë dhe menjëherë pasi shija është e parezistueshme.

Nuk këshillohet të ruhet gjatë në frigorifer për shkak se i humbet shija e freskët./AgroWeb.org

SHARE