Ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit Ana Novakoviq Gjuroviq tha se energjia e gjelbër është një mundësi zhvillimi për Malin e Zi.
Këtë ajo e bëri të ditur në konferencën “Ballkani Perëndimor: Bashkëpunimi Transatlantik dhe Rajonal – Ndërtimi i Aleancave më të Forta”, që po mbahet në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Angazhimi strategjik i Malit të Zi, siç tha ajo, është tërheqja e investimeve për realizimin e projekteve të energjisë së gjelbër.
“Mali i Zi do të përpiqet të përmirësojë kushtet për tërheqjen e investimeve të huaja në projektet për ndërtimin e objekteve për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe objekteve për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë, si dhe në projektet për përmirësimin e efikasitetit të energjisë,” shtoi ministrja.
Ajo potencoi se në Mal të Zi po punohet në projekte për ndërtimin e objekteve për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, si hidroenergjia, energjia diellore dhe potenciali i erës.
“Ajo tha se Mali i Zi do të vazhdojë të zhvillojë zgjidhje ambicioze në luftën kundër ndryshimeve klimatike, në mënyrë që të sigurojë një të tashme dhe të ardhme të qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit.