AMBASADORJA E KOSOVËS ZHERKA-HOXHA VIZITË NË PLAVË DHE GUCI

Ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka Hoxha së bashku me sekretaren e parë Ifete Çeku kanë zhvilluar takim në Plavë dhe Guci.

Ambasadorja së pari u mirëprit në takim nga kryetari i komunës së Plavës Nihad Canoviq.

Pastaj, kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, me bashkëpuntorë kanë pritur ambasadoren e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka Hoxha.

Gjatë takimit ku morën pjesë kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë Bujar Hasangjekaj, nënkryetarët e Komunës së Gucisë Huso Brdakiq dhe Edon Balidemaj si dhe sekretari i Sekretariatit për Zhvillim Ekonomik dhe Financa Mirallem Bektesheviq u diskutua mbi planet që ndërmerr komuna për zhvillimin e qytetit, si dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional në sektorë të ndryshëm dhe mbi të gjitha në fushën e kulturës dhe artit, projektit tashmë të implementuar “Trashëgimia kulturore – thesari i rajonit ndërkufitar” i cili është miratuar si pjesë e ftesës ndërkufitare Mali i Zi – Kosovë, dhe po zbatohet në bashkëpunim me komunën e Pejës me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Në takim kanë biseduar po ashtu për rrugën Plavë-Deçan, për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimimit, kuotat në Univerzitete për studentët që vijnë nga Mali i Zi, etj.

Kryetarja Çekiq theksoi se Kosova mbetet ndër partnerët e tyre më të ngushtë për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e biznesit, për të cilin ambasadorja Zherka Hoxha u zotua se do ta vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ambasadorja e Kosovës në kuadër të vizitës së saj është takuar edhe me pjesëtarë të shoqërisë civile.

SHARE