Ka degraduar në përdorimin e dhunës seanca e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin e Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të qeverisë.
Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.
Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty. Më pas, situata u agravua me sulme fizike edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Para se të sulmohej, Kurti në Kuvend foli për Radoiiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa dite para se të formohej qeveria e tij.
“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”.
Kurti ruajti qetësinë duke mos reaguar, ndërsa kryetari i Kuvendit kërkoi policinë të ndërhyjë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se përdorimi i dhunës si mjet për të adresuar pakënaqësitë e mospajtimet politike “dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i cilësoi deputetët e PDK-së “si një bandë rrugaçësh” dhe shtoi se “ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues”. Partia opozitare,
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është distancuar nga përleshjet në Kuvend, duke shkruar se “pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës”.
Dhuna në Kuvend është dënuar edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ky institut i quajti përleshjet në Kuvendin e Kosovës “rezultat i një klime joparlamentare”. KDI bëri thirrje që të gjitha partitë politike dhe deputetët të distancohen nga “kjo klimë dhune”.
Ndaj ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka kritikuar opozitën duke thënë se “të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten”.