LIDHET MARRËVESHJA PËR DIGJITALIZIMIN E GJUHËS SHQIPE NË MALIN E ZI

Sot në Podgoricë është bërë nënshkrimi i marrëveshjes për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi, përmes softuerit Kulla e shqipes, për të gjithë banorët e Malit të Zi, zbatimi i së cilës do të fillojë brenda 10 ditësh.

Bartëse e këtij projekti do të jetë Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në bashkëpunim me kompaninë Albasoft që është përgjegjëse për zbatimin e projektit.

Pjesë e këtij digjitalizimi janë:

– Fjalori i madh drejtshkrimor i gjuhës shqipe në formatin digjital, me mbi 300 mijë faqe A4, me mbi 8.000.000 forma morfologjike;

– Fjalori i madh shpjegues i gjuhës shqipe me mbi 80.000 fjalë dhe shprehje;

– Fjalori sinonimik dhe antonimik;

– Softueri për korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore në MS Word;

– Softueri për korrigjimin e gabimeve sintaksore;

– Softueri për mësimin e gjuhës shqipe etj.

„Nga aspekti i zhvillimit të politikave publike në kuadër të mbrojtjes dhe përmirësimit të të drejtave të njeriut të pakicave kombëtare dhe komuniteteve të tjera pakicë, rol kyç ka Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave,“ tha ministri Gjeka gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes për Digjitalizimin e Gjuhës Shqipe.

Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë banorët e Malit të Zi, duke përdorur falas softuerin Kulla e shqipes brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu do të përdoret edhe nga punëtorët e institucioneve të Malit të Zi, qeveritare dhe joqeveritare, punëtor në ndërmarrjet private dhe publike të Malit të Zi, si dhe të gjithë ata që kanë shtetësinë e Malit të Zi.

Disa nga avantazhet kryesore të zbatimit të këtij projekti, përveç përmbushjes së detyrimeve nga Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave janë:

– Një vend shumëgjuhësh ofron një mundësi unike për të ruajtur kulturat dhe traditat e ndryshme;

– Shumëgjuhësia është një avantazh për ekonominë e vendit tonë, sepse tërheqë kompani ndërkombëtare dhe turistë që flasin gjuhë të ndryshme;

– Përmirësimi i komunikimit me vendet e tjera përreth do të ndihmojë marrëdhëniet ndërkombëtare, tregtinë dhe diplomacinë;

– Gjithashtu, zbatimi i projektit do të zvogëlojë barrierat e komunikimit, sfidat në arsim dhe pengon asimilimin kulturor.

Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave falënderoi kryeministrin Dritan Abazoviq për mbështetjen e këtij projekti të rëndësishëm për shqiptarët në Mal të Zi.

SHARE