Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, pas bisedës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se bashkëpunimi duhet të përmirësohet, veçanërisht në aspektin e forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe se dy vendet ndajnë të njëjtin qëllim evropian.
Për Millatoviqin para Pallatit “Serbia” është bërë një pritje formale, pas së cilës u zhvillua takimi i dy presidentëve dhe bisedimet plenare të delegacioneve të dy vendeve, të udhëhequra nga Vuçiq dhe Millatoviq.
Vuçiq tha se kanë biseduar për çështje të shumta dhe ka theksuar se Mlilatoviq ka kërkuar pozitën më të mirë në EXPO 2027 Beograd dhe se ka premtuar se do të sigurohet.
Ai thotë se kanë diskutuar edhe për projekte të shumta infrastrukturore, përfshirë terminalin LNG në Tivar.
“Kjo do të ishte mundësia për të shkarkuar 2.7 milionë metra kub në baza ditore, gjë që mund të na ndihmojë”, tha Vuçiq.
“Ne folëm edhe për tema politike dhe rajonale. Do të dëshiroja që gradualisht të arrijmë marrëdhënie më të mira midis Serbisë dhe Malit të Zi. Biseduam për të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme – nga çështjet e infrastrukturës, ndërtimi i autostradave që do të na lidhin, për të arritur nga Beogradi në Podgoricë për 4/5 orë, nevoja për ndërtimin e mëtejmë të linjës hekurudhore, lidhje të mëtejshme edhe në aspektin energjetik”, tha Vuçiq.
Millatoviq tha se ishte i kënaqur që vizitoi Beogradin. Vizita në Serbi, pas vizitës në Bruksel, vjen si vazhdimësi e natyrshme, duke pasur parasysh politikën e jashtme të Malit të Zi.
“Ekonomikisht Serbia është ndoshta partneri më i rëndësishëm i Malit të Zi. Tregtia e jashtme me Serbinë në vitin 2022 ishte 20 për qind e tregtisë totale. Mali i Zi eksporton më së shumti në Serbi”, tha Millatoviq.
Ai tha se vitin e kaluar Serbia ishte investitori më i madh në Mal të Zi, 12 për qind të nivelit të përgjithshëm të investimeve të huaja.
Millatoviq ka mbërritur dje në Beograd, ku është pritur nga shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq.
Presidenti i Malit të Zi tha mbrëmë në pritjen ceremoniale në Shtëpinë e Malit të Zi në Beograd se po vjen në Beograd “për të kontribuar në rigjallërimin e marrëdhënieve politike mes dy vendeve”.