Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të hënën se Bashkimi Evropian duhet të hapë rrugën për anëtarësimin e Ankarasë në bllokun evropian, përpara se parlamenti i Turqisë të miratojë aplikimin e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.
Duke folur përpara nisjes së tij për samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë, Erdogan tha se pranimi i Suedisë varet nga zbatimi i një marrëveshjeje të arritur verën e kaluar gjatë samitit të aleancës në Madrid, duke shtuar se askush nuk duhet të presë që Ankaraja të bëjë kompromise.
Liderët e NATO-s do të takohen në Vilnius më 11 dhe 12 korrik për të trajtuar një sërë çështjesh, duke nisur nga ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash.
Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid. Qëndrimi i Turqisë për Suedinë mbetet i njëjtë, duke u shprehur se Stokholmi nuk e ka trajtuar sigurinë e Ankarasë me seriozitet.
Ndër vite, Suedia e ka akuzuar dhe kritikuar Turqinë për abuzim dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve demokratike të jetesës, gjë që ka irrituar politikanët në Ankara.
Ndërsa, në anën tjetër, Turqia pretendon se Suedia është duke strehuar anëtarë të grupeve që autoritetet turke i konsiderojnë terroriste.Në këmbim të anëtarësimit të Suedisë në NATO, Qeveria turke ka kërkuar ekstradimin – apo dorëzimin e personave të kërkuar.
Suedia thotë se ka zbatuar marrëveshjen e Madridit – duke përfshirë ligje më të ashpra kundër terrorizmit – dhe se disa nga kërkesat e tjera të Ankarasë janë të pamundura për t’u përmbushur. Turqia ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 1999.