SHKUP, RAMA DHE KOVAÇEVSKI BISEDOJNË RRETH PROCESIT TË BERLINIT

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, i cili qëndroi për vizitë pune në Shkup.

Siç u shprehën dy kryeministrat, në fokus të bisedimeve kanë qenë përgatitjet për samtin e ardhshëm të Procesit të Berlinit që do të mbahet në muajin tetor të këtij viti në Tiranë.

Kryeministri Kovaçevski tha se vendi i tij dhe Shqipëria zhvillojnë një miqësi dhe partneritet tradicional që është shembull në rajon, duke shtuar se rruga evropiane është një synim strategjik i të dy vendeve.

Duke theksuar rëndësinë e Procesit të Berlinit, ai kujtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan vitin e kaluar tre marrëveshje rajonale lidhur me lëvizshmërinë.

Në të njëjtën kohë, Kovaçevski shprehu mbështetjen e tij për Shqipërinë si kryesuese dhe nikoqire e sivjetme e këtij procesi.

Duke folur për tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi se Maqedonia e Veriut është shembull konkret sesi përmes dialogut, veprimit shtetëror dhe marrjes së vendimeve të guximshme mund të tejkalohen sfidat me shtetet fqinje midis të cilave ka çështje të hapura.

Rama tha se ka dakordësi të plotë me homologun e tij maqedonas se është i pa krahasueshëm hendeku midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në aspektin e mbështetjes financiare të BE-së.

Rama rikujtoi periudhën e fillimit të pandemisë së koronavirusit, duke u shprehur se “BE na la si peshq pa ujë” dhe se janë detyruar të kërkojnë vaksina nga vende tjera, duke theksuar edhe faktin se sa e rëndësishme ishte më pas kur u mundësua mbështetja e BE-së.

“Ka plot sfida të përbashkëta që në mënyrë të caktuar kërkojnë jo vetëm qëndrim politik të përbashkët, por kërkojnë edhe një qasje të përbashkët ndaj qytetarëve të cilët nuk mund të jenë qytetarë të dorës së parë dhe qytetarë të dorës së dytë. Në këtë drejtim, ajo që vendet e tjera të BE-së, ajo që fqinjët tanë në BE marrin nga BE është e pakrahasueshme me atë që ne mund të vëmë në dispozicion të qytetarëve nga burimet e brendshme, sado që ne ato t’i rrisim”, tha Rama.

Kryeministri Rama gjatë ditës do të qëndrojë edhe në Kosovë, ndërsa të nesërmen ai gjithashtu do të vizitojë edhe Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë.

SHARE