SHQIPËRI, STUDENTËT E MJEKËSISË PROTESTË KUNDËR PUNËSIMIT TË DETYRUESHËM

Dhjetëra studentë të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë kanë protestuar kundër nismës së Qeverisë së Shqipërisë për punësimin e tyre në vend për disa vite, si kusht i marrjes së diplomës.

Studentët kanë protestuar para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë gjatë kohës që po mbahej seanca parlamentare, duke kundërshtuar projektligjin e miratuar nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë për “trajtimin prioritar të studentëve të mjekësisë dhe punësimin e tyre në Shqipëri”.

Me pankarta në duar me mbishkrimet “Nuk është prona jote diploma ime” dhe “Mos ndryshoni rregullat në mes të lojës”, studentët e universitetit publik kanë kundërshtuar projektligjin e Qeverisë së Shqipërisë.

Studentët protestues kanë deklaruar gjatë protestës se nuk dëshirojnë që të jenë sipas tyre pjesë e një punësimi të detyruar.

Sipas projektligjit që Qeveria e Shqipërisë prezantoi më 5 korrik, studentët që do të pranohen në vit të parë në mjekësi, do të nënshkruajnë një marrëveshje për t’u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

Sipas projektligjit, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundësi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri, ose, në të kundërtën, do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura.

Sipas autoriteteve shqiptare, projektligji në fjalë synon kryesisht plotësimin e nevojave të sistemit shëndetësor për mjekë, shpërndarjen më të mirë të tyre, si dhe parandalimin e largimit të mjekëve për të punuar jashtë vendit.

SHARE