Diplomatë perendimorë vihen serish në lëvizje për ta bindur Prishtinën dhe Beogradin që të ulin tensionet dhe të zbatojnë në praktikë kerkesat e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Pas vizitës në Beograd dhe Prishtinë të kryeministrave të Holandës dhe Luksemburgut, në Prishtinë shkoi të marten në mbrëmje edhe ndërmjetësi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajҫak. Ndërmjetësi evropian, tha se në Prishtinë “gjeti mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri”, por se “ende duhet të vazhdojnë diskutimet për hapa konkret”. Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa Beogradit që të ndikojë tek serbët për pjesëmarrje të pakusht në zgjedhjet e ardhshme.
Për mosndërmarrjen e hapave, Prishtina zyrtare tashmë po ballafaqohet me masat ndëshkuese të BE-së. Ndërmjetësi Lajҫak, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Kurti, tha se ai nuk mund të flas për masa ndëshkuese shtesë për Kosovën. Por theksoi se masa të tilla janë të gatshme edhe për Serbinë në rast se nuk ndërmerr veprime drejt shtensionimit të situatës.