Salcë me Patëllxhanë

Në Shqipëri, patëllxhani kultivohet prej shekujsh dhe është pjesë e pandarë e gatimeve vendase.

Përdorimi i tij mbetet pjesë e traditës orientale të gatimit me shembullin më të mirë atë të tavës ‘imam bajalldi’, por edhe format e reja të gatimit si pjesë e turlive me zarzavate të ziera janë tradicionale për shqiptarët.

Pa harruar që glikoja me patëllxhanë të vegjël mbushur me bajame është një specialitetet më vete.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron një recetë fantastike, të vjetër të kuzhinës shqiptare, atë të salcës me patëllxhanë, e cila përgatitet krejt lehtë dhe është e mrekullueshme në shije e në shoqërimin e vakteve të drekës apo darkës.

Salca me Patëllxhanë e Hudhra në Shtëpi    

Përbërësit

4 patëllxhanë mesatarë

Gjysmë kokërr qepë të grira hollë

2-3 thelpinj hudhër e shtypur

Gjysmë filxhani çaji me vaj ulliri

Katër lugë çaji me lëng limoni

Kripë

Piper

Majdanoz i freskët i grirë hollë

Përgatitja

Për të përgatitur këtë salcë fantastike niseni punën duke pjekur patëllxhanët në furrë të parangrohur me 200 gradë celcius.

Nëse vendosni t’i piqni të paprera përmes një piruni bëni disa vrima mbi patëllxhanë dhe lërini të piqen përreth 1 orë.

Në të kundërt, nëse doni të shkurtoni kohë prijini patëllxhanët në feta, hidhuni sipër dy tre thelpinj hudhre, kripë dhe piper, vaj ulliri dhe mbulojini me një letër pjekjeje. Për këtë version lërini të piqen për 20 minuta derisa të zbuten.

Për këtë recetë u duhet të përdorni vetëm tulin e patëllxhanëve dhe jo lëkurën. Qëroni lëkurën e patëllxhanëve dhe mbani tulin.

Vendosni tulin bashkë me përbërësit e tjerë në një tas të madh dhe përzjejini me një lugë druri.

Nëse preferoni që kjo salcë të ketë një përmbajtje kremoze atëherë shtojini të gjithë përbërësit në mikser duke hedhur gradualisht vajin e ullirit.

Në të kundërt shtypni tulin e patëllxhanit përmes një piruni dhe pasi salca të jetë bërë e njëtrajtshme vendoseni në frigorifer që të pushojë.

Kjo salcë shërbehet e spërkatur me vaj ulliri dhe me disa kokrra ulliri sipër saj. Shoqërohet në mënyrë të përkryer me bukë të thekur.

SHARE