TË SHTËNA MASIVE NË TEKSAS, TRE TË VRARË DHE TETË TË PLAGOSUR

Të paktën tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën nga të shtënat masive në Fort Uorth të Teksasit, pas përfundimit të një festivali vendor, thanë zyrtarët policorë të martën.

Të shtënat ndodhën pak para mesnatës të së hënës në një parking, konfirmoi policia.

Një person u shpall i vdekur në vendngjarje dhe dy të tjerë vdiqën në spital, ndërsa tetë persona të tjerë u shtruan në spital, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Policia ende ka paqartësi sa i përket motivit të të shtënave dhe të dyshuarve të përfshirë.

Asnjë arrestim nuk është bërë.

“Ne nuk e dimë nëse kjo është e lidhur me familjet, nëse është e lidhur me bandat. Është shumë herët për të thënë diçka”, tha Shawn Murray, një zyrtar i lartë në Departamentin e Policisë në Fort Uorth.

Të shtënat ndodhën në seksionin Como të Fort Uorthit, disa orë pas përfundimit të festivalit vjetor ComoFest. Festivali organizohet për të festuar katër korrikun – ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

SHARE