Vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Lista Serbe e ka vlerësuar si “pjesë të planit të regjimit të kryeministrit [të Kosovës] Albin Kurti për të vazhduar me terrorin politik në veri të Kosovës dhe arrestimin e serbëve.
“Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit në bazë të thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, u tha në njoftimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Lista Serbe edhe një herë u bëri thirrje misioneve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it që të vendosin menjëherë forcat e tyre në veri të Kosovës në mënyrë që të “parandalojnë Kurtin që të realizojë planin e tij djallëzor dhe të rrezikojë paqen”.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Kosova nuk është koordinuar me ta për këtë vendim, e as me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
“Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.