KURTI SHPALOS HAPAT QË ËSHTË I GATSHËM T’I NDËRMARRË PËR DE-ESKALIMIN E SITUATËS NË VERI

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet një video-mesazhi ka folur për atë se çfarë duhet të ndërmarrin Kosova dhe Serbia për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës.  

Kurti tha se në takimin e javës së kaluar në Bruksel ka bërë propozim me hapa konkretë se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova dhe çfarë pret nga Serbia në këmbim për de-eskalim të situatës.

Ai tha se pala kosovare është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim dhe beson se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi “dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon”.

Kurti tha se hapat të cilat janë të gatshëm t’i ndërmarrin janë: “Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës dhe monitorimi i proceseve nga ana e EULEX-it dhe organizatave joqeveritare të të drejtave të njeriut; Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga presidentja dhe katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës”.

Kurti ndërkaq tha se nga Serbia për de-eskalimin e situatës presin që të ndodhë: “Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre; Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë; Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit dhe Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”.

Kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Serbia zotohen gjithashtu të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra.

Ai ritheksoi angazhimin për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj, derisa shtoi në fund se de-eskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm ngase, siç tha, “keni gatishmërinë dhe vullnetin tim”.

SHARE