KOSOVA SHPALL “MBROJTJEN CIVILE” DHE “BRIGADËN E VERIUT” ORGANIZATA TERRORISTE

Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat veprojnë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.

“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenti i saj, ‘Brigada e Veriut’, paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 29 qershor.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë.

Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, sqaroi se kush preket nga vendimi i ekzekutivit: “Ky vendim nuk prek askënd që deri në momentin e shpalljes organizata terroriste, ka qenë pjesëtar i këtyre dy organizatave dhe nuk ka kryer vepra penale”.

Organizata “Brigada e Veriut” ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës përmes një postimi në aplikacionin Telegram.

Aty u tha se “Brigada e Veriut” është formuar një vit më parë dhe se pjesëtarët e saj janë “vullnetarë që ndihmojnë serbët dhe popullin serb, të gatshëm të mbrojmë popullin dhe shtetin tonë”.

Kjo organizatë tha se vendimi i Qeverisë së Kosovë nuk do t’i ndalojë ata të luftojnë “për Serbinë dhe unitetin”, por për arsye të sigurisë më nuk do të njoftojnë publikisht për lëvizjet e tyre.

Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

SHARE