TË PAKTËN 150 TË ARRESTUAR GJATË TRAZIRAVE NË FRANCË

Janë intensifikuar ndjeshëm protestat në Paris dhe qytete të tjera franceze pas vrasjes së një 17 vjeçari dy ditë më parë nga policia, i cili nuk ndaloi në një postbllok.

Forcat e rendit u përpoqën ta mbulonin ngjarjen me pretendimet se adoleshenti ishte lëshuar me makinë drejt tyre duke i vënë në rrezik, por pamjet filmike treguan se në fakt, dy policë kishin qenë duke folur me të përmes xhamit dhe njëri qëllon në kohën kur i riu thjesht tenton të largohet me makinë, pa bërë asnjë veprim tjetër kërcënues ndaj tyre.

Indinjata ka shpërthyer në kryeqytetin francez e rrethinat e tij, ku trazirat janë përshkallëzuar. Dhjetëra makina, dyqane e kosha mbeturinash u dogjën, teksa policia raportohet të ketë arrestuar më shumë se 150 persona që kishin dalë në rrugë kundër dhunës, për të dytën natë radhazi.

Tensionet e para u regjistruan në Toulouse dhe në Lille ku protestuesit sulmuan me sende të forta dhe fishekzjarrë policinë.

Pak pas mesnate protestat morën kthesë të dhunshme në periferi të Parisit, por edhe në qytete të tjera të mëdha si Lion apo Touluse.

Pas akteve të dhunës, presidenti Emmanuel Macron kërkoi me urgjencë një takim të grupit të krizave.

Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin shkroi në Twitter se ajo e djeshmja ishte një “natë dhune të padurueshme kundër simboleve të Republikës: bashkitë, shkollat dhe stacionet e policisë u dogjën ose u sulmuan”, thotë ai.

Më shumë se një duzinë makinash dhe disa kosha mbeturinash u dogjën ndërsa në disa rrugë u ngritën barrikada.

Protesta vazhdoi gjatë gjithënatës në Paris, ku policia iu përgjigj hedhjes së gurëve me gaz lotsjellës.

Në Clamart, një tramvaj u dogj dhe në Essonnenjë grup njerëzish i vunë flakën një autobusi i cili ishte bosh.

Në Seine-Saint-Denis, në veri-lindje të kryeqytetit, pati gjithashtu akte të shumta vandalizmi.

Sipas Prokurorisë, efektivë i cili qëlloi në drejtim të adoleshentit është arrestuar nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

SHARE