Kungulleshka, Speca dhe Gjizë

Stina e verës kërkon gjithmonë receta të lehta dhe me pak mundim.

Perimet si kungulleshkat dhe specat janë fantastike, të freskëta e të pasura me vlera ushqyese dhe ideale për të përgatitur receta të ndryshme.

Kungulleshkat e njoma i japin shije të plotë çdo gatimi e ndërsa specat të kënaqin nepsin dhe oreksin menjëherë sapo i ke në tryezë.

Prandaj sot AgroWeb.org ju sugjeron një recetë që i kombinon të dyja këto perime.

Receta e tavës me kungulleshka dhe speca, nuk ju mundon dhe është plot shije.

Përbërësit që ju nevojiten

  • 4-5 kungulleshka
  • 5-6 speca të kuq dhe jeshil
  • 6 lugë gjelle me gjizë pa kripë
  • 3 domate
  • 3 thelpinj hudhër
  • 2 lugë vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz

Përgatitja

Vendosim si fillim furrën e sobës në 180 gradë për ta ngrohur.

Në një tas lajmë me ujë të bollshëm kungulleshkat dhe specat, më pas i presim për së gjati në feta jo shumë të holla.

Në një tigan me gjysmë lugë vaj ulliri, e vendosim në zjarr, dhe kalojmë me radhë fetat e specave dhe kungulleshkave me pak kripë dhe piper.

Pasi keni mbaruar me të gjitha fetat e perimeve, AgroWeb.org ju udhuzon që në tigan të shtoni dhe pjesën tjetër të vajit dhe thelpinjtë e hudhrës të prerë hollë.

Domatet pasi i kemi prerë në disa copa, i vendosim në grirëse për të përgatitur salcën. Në tigan shtojmë gjizën pak kripë dhe piper dhe më pas shtojmë po aty dhe domaten.

E lëmë vetëm për 5 minuta sa të avulloj pak lëngu i salcës së domateve.

Në një tavë mesatare hedhim pak vaj ulliri dhe shtrojmë një shtresë me kungulleshka më pas hedhim pak nga salca e përgatitur.

Majdanozin e grijmë imët dhe spërkatim çdo shtresë.

Kështu veprojmë dhe me specat, duke vazhduar deri sa t’i mbarojmë që të gjitha perimet dhe salcën me gjizë.

Tavën e fusim për t’u pjekur, mjafton që ta lëmë 15-20 minuta dhe do të jetë gati.

Kjo recetë mund të shoqërohet me sallatë me perimet e stinës. 

SHARE