Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka biseduar të martën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për nevojën e uljes së tensioneve në veri.
Ajo i shtohet numrit të zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë që, përmes bisedave të tilla, po bëjnë përpjekje për të siguruar stabilizim të situatës.
Përmes një postimi në Twitter, ajo ka përmendur edhe nevojën e rikthimit të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizim të marrëdhënieve.
Ndërkaq, kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë bisedës me zyrtaren evropiane ka shprehur gatishmërinë për zvogëlimin e pranisë së policisë së Kosovës në ndërtesat komunale në veri “gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna”.
Von der Leyen ka thënë se do të bisedojë më vonë gjatë ditës edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.