Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin në lirimin e tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe.
Ajo ka nënvizuar se aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale për Kosovën.
Osmani, pasi priti në takim guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds, tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së janë të rrënjosura në vlera të përbashkëta për demokraci, sundim të ligjit dhe paqe e siguri.
“Shpreh falënderimet e përzemërta për kontributin që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirimin e tre policëve të Republikës së Kosovës, të cilët po mbaheshin të kidnapuar pas aktit të agresionit që Serbia kishte kryer ndaj Republikës së Kosovës. Ata tash janë të lirë duke u kthyer në Republikën e Kosovës dhe tek familjet e tyre”, tha ajo.
Presidentja Osmani dhe guvernatorja Reynolds nënshkruan edhe marrëveshjen e marrëdhënieve së shteteve simotra mes Kosovës dhe Iowa-s, e cila do të fuqizojë bashkëpunimin edhe më tej në fushën e sigurisë, arsimit, kulturës dhe bujqësisë.
Ndërkaq, guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds, shprehu përkushtimin për të zgjeruar bashkëpunimin me Kosovën.
“Marrëdhënia jonë speciale është e ndërtuar në një themel të fortë të partneritetit në fushën e sigurisë të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila vazhdon të lulëzoj edhe tani…Kjo është një dëshmi aq e fuqishme e ndikimit që partneriteti ynë mund të ketë. Mund të dini se sa jemi të përkushtuar për të zgjeruar partneritetin dhe bashkëpunimin tonë edhe më tej, në fushën e sigurisë, edukimit dhe në lidhjet e reja komerciale”, tha ajo.