BORELL DHE VARHELI: FORMONI SA MË SHPEJT PARLAMENTIN DHE QEVERINË E RE

Bashkimi Evropian (BE) pret konstituimin e Parlamentit të ri dhe formimin e Qeverisë në Mal të Zi, e cila do të jetë e afte dhe e përkushtuar për të çuar përpara reformat në lidhje me BE-në në kohën më të shkurtër të mundshme.

Kështu kanë bërë të ditur në një deklaratë të përbashkët shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borell dhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varheli.

“Ne inkurajojmë aktorët politikë në Mal të Zi që të përqendrohen shpejt në ndërtimin e një konsensusi mbi veprimet prioritare të nevojshme për avancimin e Malit të Zi në rrugën e tij drejt BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”, theksojnë Borell dhe Varheli.

Ata thanë se Unioni e vlerëson lartë përkushtimin e Malit të Zi në rrugën e anëtarësimit në BE dhe se është i gatshëm të forcojë mbështetjen e tij për progresin, që, siç kujtojnë ata, është dëshirë e shumicës dërrmuese të qytetarëve malazezë.

Borell dhe Varheli deklaruan gjithashtu se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit ishin të lira dhe paqësore, sipas konkluzioneve të vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë.

SHARE