Policia malazeze mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, tha ushtruesi i detyrës së drejtorit në Drejtorinë e Policisë, Marko Terziq.
Siç njoftoi Drejtoria e Policisë, arsyeja e vizitës ishte nënshkrimi i Protokollit të bashkëpunimit gjatë sezonit turistik për vitin 2023, ndërmjet Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi dhe të Republikës së Shqipërisë.
Ky takim ishte një mundësi që Terziq dhe Rumbullaku të diskutojnë për disa tema, ndër të tjera u hapën çështje të bashkëpunimit konkret në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës, migrimit ilegal dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Terziq shprehu kënaqësi të veçantë për aktivitetet e realizuara me sukses në luftën kundër kontrabandës me drogë që janë kryer në periudhën paraprake.
Fushat në të cilat policia e Malit të Zi dhe ajo e Shqipërisë bashkëpunojnë janë të shumta dhe në periudhën në vijim është rënë dakord që të zhvillohen takime operacionale të dy shërbimeve policore me synim realizimin e aktiviteteve konkrete në fushën e luftës kundër kontrabandës dhe migracionit ilegal.
“Të dy drejtorët ranë dakord që shërbimet ligjzbatuese të Malit të Zi dhe Shqipërisë janë të gatshme të përballen me të gjitha format e krimit të organizuar dhe ndërkufitar”, njoftoi policia.