Dje në Mal të Zi janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Të drejtë vote kanë patur 542.468 qytetarë.
Qendrat e votimit kanë qenë të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00.
Në garën zgjedhore morën pjesë 15 lista.
Dita e djeshme e zgjedhjeve u karakterizua me pjesëmarrje dukshëm më të ulët se në zgjedhjet e mëparshme parlamentare dhe presidenciale.
CDT njoftoi se 56.4 për qind e votuesve kanë votuar deri në orën 20:00.
Në veri të vendit deri në orën 20:00 votuan 58,3 për qind, në rajonin qendror 59 për qind, ndërsa në jug 49,2 për qind e votuesve.
Qendra e Monitorimit CEMI shpalli rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura dje. Këto janë rezultatet në 100 për qind.
- “Evropa tani – Millojko Spajiq” – 25.6%, 24 mandate
- “Së bashku! Për të ardhmen që ju takon – Danijel Zhivkoviq” (Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale) – 23.2%, 21 mandate
- “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” (Demokracia e Re Serbe, Partia Popullore Demokratike dhe Partia Punëtor) 14.7%, 13 mandate
- “Aleksa dhe Dritani – Guximi vlerësohet!”(Lëvizja Qytetare URA dhe Demokratët) 12.5%, 11 mandate
- “Është e qartë! – Partia Boshnjake – Ervin Ibrahimoviq” – 7.1%, 6 mandate
- Partia Popullore Socialiste dhe Demos “Për ty” – 3.1%, 2 mandate
- “Forumi Shqiptar – Nik Gjeloshaj “BESA për Zhvillim Evropian” (Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar) 1.9%, 2 mandate
- Aleanca Shqiptare (Partia Demokratike, Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi si dhe grupi qytetar Lëvizja-Tuz) – 1.5%, 1 mandat
- “HGI – Në anën e drejtë të botës! – 0,7%, 1 mandat
Ata rikujtojnë se votimi do të përsëritet në një vendvotim në Tuz.
“Duke pasur parasysh mundësinë e një procedure ankimore, dhe një dallimi të vogël që kërkohet për kalimin e disa listave, duhet të presim rezultatet përfundimtare”, tha CEMI.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sonte duhet të përcaktojë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.