Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u ka përcjellë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një konferencë për mediat, Rama ka folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi, çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për çështje të tjera.
“Situata në veriun e Kosovës po merr për fat të keq përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovës. Deklaratat e aleatëve tanë strategjikë lidhur me këtë situatë janë gjithnjë e më alarmante dhe sinqerisht është e pakuptueshme arsyeja e ngurrimit të autoriteteve të Kosovës për de-eskalimin e një situate ku dukshëm çdo ditë dhe çdo orë, e humbura e madhe është Kosova”, është shprehur Rama.
Kryeministri Rama tha se Serbia po bën atë që ka bërë edhe herë të tjera, ndërsa sipas tij Kosova po bën diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë dhe si kurrë më parë, “po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar”.
Rama u shpreh se beson se krijimi i asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara, në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë.
Rama theksoi se drafti është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe sipas tij patjetër merr në konsideratë se “asociacionit është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës, duke adresuar të gjitha rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.