Ukraina e ka akuzuar Rusinë se e ka sulmuar një digë të madhe në lumin Dnjepër në rajonin e Hersonit të pushtuar nga Rusia.
Pas këtij sulmi, Ukraina ka urdhëruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga ajo zonë, shkaku i rrezikut për përmbytje masive. Kievi tha se 24 vendbanime janë përmbytur, pasi që, brenda pak orëve, niveli i ujit ishte rritur në disa zona për 10 deri në 12 metra.
Ushtria ukrainase tha se Rusia e sulmoi këtë digë me qëllim për ta parandaluar kalimin e forcave ukrainase në lumin Dnjepër.
“Ky është një reagim histerik. Ata ishin të vetëdijshëm që kalimi i forcave të mbrojtjes [ukrainase] do të ndodhte dhe tentuan në këtë mënyrë të ndikojë te forcat e mbrojtjes ashtu që kalimi i Dnjeprit, të cilit iu frikësuan, nuk do të ndodhte”, tha zëdhënësi i komandës ushtarake në Ukrainën jugore.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për ta diskutuar gjendjen në këtë zonë.
“Terroristët rusë”, shkroi Zelensky në Twitter, duke shtuar se shkatërrimi i digës “vetëm e konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të përjashtohen nga çdo qoshe e tokës ukrainase”.
“Terroristët nuk do të jenë në gjendje ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa apo çfarëdo tjetër”, shtoi Zelensky. Rusia e ka mohuar përfshirjen në këtë sulm dhe ka fajësuar Ukrainën.
Komiteti Hetues i Rusisë nisi hetime penale lidhur me shkatërrimin e digës.
“Ky krim është një akt terrorist i drejtuar kah civilët. Ukrainasit e bënë”, tha Vladimir Leontyev, kryetari i emëruar nga Rusia i Nova Kahovkës.