MALI I ZI PLANIFIKON TË NDËRTOJË NJË QENDËR SHTETËRORE TË TË DHËNAVE

Mali i Zi po planifikon të ndërtojë një qendër shtetërore të të dhënave, prandaj u miratua vendimi për përgatitjen e një studimi fizibiliteti.

Në informacionin e miratuar nga Qeveria, thuhet se për të siguruar parakushtet e nevojshme për transformimin e mëtejshëm digjital të shoqërisë malazeze, është e nevojshme fillimi i planifikimit të aktiviteteve për ndërtimin e Qendrës Shtetërore të të Dhënave, e cila do të përfaqësonte një kompleks unik për administratën e plotë shtetërore, i ndërtuar në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare që lidhen me qendrat e të dhënave, informacionin dhe sigurinë kibernetike.

“Edhe pse synohet ndërtimi i një objekti me kapacitet të mjaftueshëm për nevojat e të gjitha institucioneve shtetërore, qendra e të dhënave shtetërore mund të segmentohet dhe të sigurojë organizimin e dhomave të veçanta për ato institucione që kanë kërkesa specifike të sigurisë”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Administratës Publike që të përgatisë një studim fizibiliteti për nevojën e ndërtimit të Qendrës Shtetërore të të Dhënave, e cila do të parashikojë modelin optimal të financimit dhe Ministrinë e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrates Publike dhe vetëqeverisjet lokale, të shqyrtojnë mundësitë më optimale të planifikimit hapësinor për zgjedhjen e lokacionit dhe ndërtimin e kësaj qëndre.

SHARE