Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq ka pritur sot një grup studentësh të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit Clemson nga Karolina e Jugut, në kuadër të vizitës së tyre studimore në Mal të Zi.

Gjatë prezantimit të tij, Abazoviq i njoftoi studentët me pozitat udhëheqëse në politikën malazeze, brenda dhe jashtë vendit. Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë hapa të rëndësishëm në afrimin me Bashkimin Evropian, duke theksuar se përpjekjet e bëra janë reflektuar edhe në qëndrimin e qytetarëve malazezë, 85 për qind e të cilëve mbështesin anëtarësimin e vendit tonë në familjen evropiane.

“Mali i Zi është unik edhe për nga roli i tij në rajon – politika e fqinjësisë së mirë dhe mungesa e çështjeve të hapura me fqinjët janë në krye të pozicionit tonë të politikës së jashtme,” theksoi kryeministri.

Në interes të studentëve, kryeministri foli edhe për çështjet e hapura në rajon, nevojën e pajtimit dhe fokusimit në një të ardhme të përbashkët, si dhe theksoi përkushtimin e përbashkët të Ballkanit Perëndimor për integrimin evropian.

Në këtë kontekst, ai theksoi veçanërisht rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe të kontakteve intensive me zyrtarë të administratës dhe Kongresit Amerikan.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për çështjet aktuale në skenën politike ndërkombëtare dhe perspektivat për zgjidhjen e tyre.

SHARE