Ministri i Shëndetësisë, Dragosllav Shqekiq tha se forcimi i besimit në sistemin e shëndetësisë publike është imperativ për Ministrinë e Shëndetësisë.
“Në fillim të mandatit, ne përcaktuam përmirësimin e kushteve të punës në sistemin shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore si procese reformuese kyçe. Jemi krenarë për projektet dhe investimet miliona dollarëshe të dukshme në çdo hap,” tha ministri i Shëndetësisë Dragosllav Shqekiq, duke hapur ceremoninë ku u prezantuan rezultatet e punës në fushën e shëndetësisë për periudhën e kaluar njëvjeçare.
Ai thotë se falë mirëkuptimit të Qeverisë ka mundur të arrihet gjithçka, sepse e kanë kuptuar domosdoshmërinë e investimit në sistemin shëndetësor.
Për herë të parë, thotë Shqekiq, është shlyer borxhi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili arrinte në 50 milionë euro, ndërkaq tani arrin në zero euro.
Rezultati i punës, siç thotë ministri, është buxheti për shëndetësi prej 386 milionë euro, që është shuma më e madhe e ndarë për kujdesin shëndetësor deri më tani.
“Janë krijuar kushte për kursime prej më shumë se 20 milionë euro. Imperativi ynë është të forcojmë besimin në sistemin publik shëndetësor. Në çdo qytet të Malit të Zi, procesi i përmirësimit të kushteve të kujdesit shëndetësor është duke u ndërtuar, rinovuar ose tashmë ka përfunduar,” tha Shqekiq.
Kryeministri Dritan Abazoviq tha se ishte e vështirë të ndjekësh Shqekiqin në të gjitha aktivitetet që ai ka udhëhequr këto 365 ditë.
“Marrëveshjen që kemi pasur që shëndetësia duhet të jetë në fokus dhe të gjejmë zgjidhjet më të mira, si dhe që të mos ankohemi për mungesën e parave – e kemi përmbushur. Klinikat kanë filluar të ndërtohen dhe për këtë jam mirënjohës dhe është realizuar ajo që kemi premtuar se asnjë komunë nuk do të mbetet jashtë ciklit të investimeve”, tha Abazoviq.