NESËR BETIMI I KRYETARËVE TË KOMUNAVE NË VERI: NË OBJEKTET PUBLIKE

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka bërë të ditur se kryetarët e ri të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nesër do ta bëjnë betimin.

“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seanca konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj”, tha kryeministri kosovar.

Ai gjithashtu bëri të ditur se në komunën e Mitrovicës së Veriut, ku Erden Atiq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë mandatin e kryetarit, janë emëruar edhe 4 drejtorë.

“Dje u bënë një muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në Komunën Veriore të Mitrovicës, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit. Nuk pati asnjë incident. Ishin të qeta dhe paqësore”, ka thënë Kurti.

Ai tha se pavarësisht kërcënimeve nga Beogradi veprimet janë për të mirën e qytetarëve. Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

SHARE