Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi Serbinë se aspiratat e saj euroatlantike nuk përkojnë me raportet që Beogradi ka me Rusinë.
“Mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe gjithashtu është e dëmshme për interesin kombëtar të Serbisë”, u shpreh Borrell.
Deklaratat ai i bëri pas takimit të ministrave të shteteve anëtare dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Këshillin e Punëve të jashtme në Bruksel, ku u diskutua për situatën në rajon dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Borrell u kërkoi shteteve që nuk kanë përshtatur politikën e jashtme me atë të Bashkimit Europian që të ndryshojnë sjelljen e tyre. Serbia është shteti i vetëm në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke mos ndjekur shembullin e Brukselit.
Ndërkaq, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, shefi i diplomacisë së BE, u bëri thirrje palëve që të zbatojnë të gjitha detyrimet që dalin nga ky proces dhe t’i japin fund tensioneve dhe sjelljeve provokuese.
“Zbatimi i plotë dhe i shpejtë i marrëveshjes, është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të marrin fund. Atmosfera negative dhe mungesa e konstruktivitetit gjithashtu duhet të ndalojë. Të jesh anëtar i Bashkimit Evropian do të thotë të jesh në gjendje të bashkëpunosh dhe të veprosh si fqinjë i mirë, duke kapërcyer të gjitha vështirësitë e së kaluarës”, ka thënë Borrell.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se ishte ankuar tek shtetet anëtare për shkeljen e marrëveshjes nga ana e Serbisë, ndërsa theksoi se Suedia që mban presidencën e radhës së BE po diskuton me anëtarët e tjerë për aplikimin e Kosovës në bllok.