XHAÇKA: TË RUHET RITMI I ZGJERIMIT ME VEPRIME KONKRETE NGA ANA E BE-së

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka deklaroi sot se, në fokus të takimit mes ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së zhvilluar dje në Bruksel ishte thellimi i dialogut për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, në kuadrin e rëndësisë gjithnjë e më të madhe që BE po na kushton në kontekstin aktual gjeopolitik.

Në një prononcim për mediet, Xhaçka bëri me dije se, u diskutua mbi nevojën e ruajtjes së unitetit evropian dhe mbështetjen pa rezerva për Ukrainën, respektimin e parimeve ku bazohet siguria jonë e përbashkët evropiane dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Ministrja tha se, në Bruksel u bë i qartë edhe një herë qëndrimi i përbashkët për izolimin e Rusisë në agresionin e saj të paligjshëm dhe detyrimi për të siguruar përgjegjësinë dhe llogaridhënien për aktet mizore prej më shumë se një viti ndaj popullit ukrainas.

“Shqipëria rikonfirmoi pozicionin e saj të palëkundur për linjëzimin e plotë me vendimet e Bashkimit Evropian, duke u bërë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrojtëse e vlerave të përbashkëta evropiane, gjë për të cilën u përgëzuan edhe nga përfaqësuesi i lartë Borrel dhe nga vendet anëtare të BE. Në këtë situatë sigurie në Evropë, stabiliteti dhe siguria në rajonin tonë marrin një rëndësi të shtuar. Shpreha vlerësimin për rigjallërimin e procesit të zgjerimit, por duke theksuar nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE”, nënvizoi kryediplomatja shqiptare.

Ajo shtoi se, nga pikëpamja jonë kjo do të thotë, së pari përparim në procesin e negociatave, duke hapur këtë vit negociatat për grupin e parë të kapitujve.

Xhaçka nënvizoi se, “stabiliteti kërkon rritje ekonomike në vendet tona. Reformat që Shqipëria ka ndërmarrë janë kyç për rritjen ekonomike por na nevojitet një mbështetje më domethënëse e Bashkimit Evropian, përmes rritjes dhe rikonceptimit të asistencës financiare”.

“Në situatën e pasigurt gjeopolitike ku ndodhemi, kërkova mbështetje për forcimin e kapaciteteve tona për t’u përballur me sfidat e kohëve që po jetojmë. Kjo përfshin sidomos mbrojtjen kibernetike”, tha ministrja.

SHARE