I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paralajmëroi se ekziston rreziku i ndërhyrjes ruse në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi.
Në një intervistë për agjencinë MINA, Escobar tha se ky rrezik ka ekzistuar gjithmonë edhe në zgjedhjet në SHBA.
“Të jeni të sigurt se ata do të përpiqen të përdorin të gjitha dallimet dhe të gjitha metodat e vendosura – dezinformata në përpjekje për ta devijuar Malin e Zi nga rruga e tij evropiane. Prandaj, po, shqetësohem për zgjedhjet jo vetëm në Mal të Zi por edhe në rajon”, tha Escobar.
Ai tha se nga ana tjetër qytetarët e Malit të Zi kanë bërë zgjedhjen e duhur.
“Sa herë që qytetarët duhej të bënin zgjedhje, ata zgjidhnin të vetmen rrugë reale përpara Malit të Zi – integrimin euroatlantik”, shtoi Escobar.
Ai tha se prandaj është i bindur se qytetarët e Malit të Zi, kur zgjedhin qeverinë, dinë të identifikojnë keqinformime të tilla dhe të marrin vendime që janë në përputhje me vlerat dhe aspiratat e tyre.
Sipas tij, SHBA-të shprehen qartë se nuk i zgjedhin qeveritë e aleatëve të NATO-s, por se kanë pritshmëritë e tyre.
“Siç e dini, kushdo që e mban Malin e Zi në kursin e tij evropian, kushdo që mbetet i përkushtuar ndaj detyrimeve të Malit të Zi nga anëtarësimi në NATO dhe që është aleat në luftën kundër korrupsionit mund të presë mbështetjen e SHBA-së”, tha Escobar.
Escobar ka theksuar vazhdimisht se aktorët politikë malazezë duhet të lënë mënjanë interesat e tyre të ngushta partiake dhe të fokusohen në tema që janë të rëndësishme për qytetarët, si ekonomia dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.