Kryetarja e Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Marrëdhëniet me Politikën e Jashtme të Senatit Amerikan, senatorja Jeanne Shaheen, me mbështetjen e kolegëve të saj nga të dyja partitë politike, propozoi edhe një herë “Projektligjin për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në mbledhjen e fundit të Senatit.
Sipas një deklarate nga faqja e internetit e senatores Shaheen, ligji mbështet “stabilitetin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, përmes iniciativave në infrastrukturë, tregti dhe antikorrupsion, duke përfshirë formalizimin ligjor të sanksioneve, me qëllim që të pengohen aktorët që udhëheqin aktivitete destabilizuese”.
Ligji hyri sërish në procedurën e Senatit të enjten, pak para seancës dëgjimore të Komisionit për Marrëdhëniet me Politikën e Jashtme për Ballkanin Perëndimor.
“Ruajtja e paqes dhe forcimi i demokracisë në Ballkan është me rëndësi kyçe për sigurinë dhe stabilitetin evropian, veçanërisht në kohën kur lufta e paprovokuar e Putinit në Ukrainë vazhdon”, tha Shaheen.
“Ligji im dypartiak do të forcojë tregtinë dhe investimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Ballkanit Perëndimor, do të zhdukë korrupsionin, do të kodifikojë sanksionet kundër aktorëve destabilizues dhe do të dërgojë një sinjal të fortë dypartiak se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partnerëve tanë në rajon”, tha senatorja demokrate.
“Ballkani është shtëpia e një trashëgimie kulturore të larmishme dhe rëndësia e tij gjeopolitike vazhdon të rritet”, tha senatori republikan Roger Wicker.
Wicker shtoi se “pushtimi brutal rus i Ukrainës nënvizon rëndësinë e partneriteteve tona ballkanike”.
“Miratimi i këtij projektligji do të shërbente si një deklaratë e qartë, dypartiake e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të forcuar partneritetet tona diplomatike në rajon”, tha ai.