NIINISTÖ E PAVEL: KOSOVA TË ANËTARËSOHET SA MË SHPEJT NË KIE

Presidenti çek, Petr Pavel dhe ai finlandez, Sauli Niinisto shfrytëzuan Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës në Reykjavik të Islandës për të shprehur mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

Edhe pse ky samit iu dedikua Ukrainës, Pavel në fjalën tij tha se Kosova duhet të bëhet sa më shpejtë anëtare e Këshillit të Evropës.

„Mbështetje të plotë për anëtarësimin e Kosovës. Ndërsa ne fokusohemi te situata në Ukrainë, nuk duhet të harrojmë Gjeorgjinë, Moldavinë, si dhe partnerët e tjerë që po përballen me presionin dhe frikësimin rus. Ata mund të mbështeten tek ndihma jonë, duke përfshirë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Gjithashtu do të doja të shfrytëzoj këtë rast për të ritheksuar mbështetjen tonë të plotë për synimin e Kosovës për t’u bërë sa më shpejt anëtare e Këshillit të Evropës,” tha presidenti çek Pavel.

Edhe presidenti finlandez, Sauli Niinisto, tha se nuk duhet harruar Ballkani Perëndimor duke ritheksuar mbështetjen për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. „Mirëpresim hapat e mëtejshëm për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE …ne theksojmë nevojën për mbështetje edhe për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Finlanda mirëpret hapat e mëtejshëm për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndërsa sistemi shumëpalësh i bazuar në rregulla sfidohet, Këshilli i Evropës meriton mbështetjen tonë më të fortë,” tha presidenti finlandez Niinisto.

SHARE