Parlamenti i Malit të Zi po kryen detyrat e tij para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për 11 qershor, pas të cilave pritet që të ketë struktura të mjaftueshme politike për të përfunduar proceset reformuese dhe për ta futur Malin e Zi në Bashkimin Evropian, tha kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq.
“Kuvendi në çdo rast kryen detyrat e veta. Kemi dy seanca që janë ende aktuale dhe që sigurisht do ti përfundojmë deri në datën për të cilën janë caktuar vetë zgjedhjet. Kuvendi do të kryejë një pjesë të detyrave të tij, por më duhet të them se ka një rezervë të caktuar në lidhje me Komisionin për monitorimin e performancës së medias dhe praninë e barabartë të të gjitha strukturave parlamentare në media, të cilën, për fat të keq, nuk arritëm ta formojmë për shkak të bojkotit të opozitës. Kështu ka qenë edhe për zgjedhjet presidenciale, kështu është edhe për zgjedhjet parlamentare. Ndoshta diçka do të ndryshojë në ditët në vijim, për të formuar atë komision, por të gjitha obligimet e tjera i kryen Kuvendi”, tha Gjuroviq, për Zërin e Amerikës.
E pyetur nëse misionet e huaja vëzhguese janë gati për të mbërritur, kryetarja e Kuvendit thotë se janë dërguar ftesa në prag të zgjedhjeve dhe beson se ato do të jenë të pranishme.
Gjuroviq po ashtu ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për fillimin e procedurës për kushtetutshmërinë e ndryshimeve në Ligjin për Presidentin ka qenë i vonuar. Ndryshimet u miratuan nga shumica parlamentare vitin e kaluar, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Do të kishte qenë shumë më mirë që Gjykata Kushtetuese të ishte më e përditësuar në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjidhjes ligjore të lartpërmendur. Mendoj se mënyra e funksionimit dhe mënyra e marrjes së vendimeve dhe bashkëpunimit mes të gjitha autoriteteve do ta bënte shumë më të lehtë për të gjithë ne në Mal të Zi. Në këtë moment mendoj se është vonë, sido që të jetë vendimi, ai do të jetë vonë. Diku pritet se në cilin drejtim do të jepet ai vendim që sot nisma është pranuar e gjitha nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese. E them sërish, për fat të keq, mendoj se ai vendim u vonua”, ka përfunduar Gjuroviq.
Ajo shtoi se është e shqetësuar për ndërhyrjen e mundshme të ndonjë faktori të huaj në zgjedhjet malazeze.
Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi javën e kaluar zhvilloi një vizitë zyrtare në SHBA, gjatë së cilës u takua me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, anëtarë të Kongresit dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar.